Një Majk Tajson më i vjetër se zakonisht, u dorëzua në një përballje për titull ndaj gjigandit të momentit, Lenoks Ljuis, dhe lëshoi një britmë të dëshpëruar në fund. “Ky djalë është tepër i madh për mua, i ka duart shumë të gjata, nuk mundem ta godas”. Lebron Xhejms nuk është kaq shumë i vjetër dhe as shumë i lodhur, por edhe në versionin e tij më të mirë nuk mundi ta përballonte Golden Stejtin. Ndoshta do të duhej Maradona i vitit 1986.
Uorriors, mbështetur në katërshen e madhe Durant-Kërri-Tompson-Grin, triumfoi brenda në Klivlend 118-113 dhe u afrua në vetëm një fitore me titullin kampion në NBA.
Xhejms luajti shumë mirë, duke shënuar 39 pikë në 45 minuta, kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 9 asistë, duke qenë pranë një “tripëll dabëlli”, si dhe vodhi një top e bllokoi një gjuajtje të kundërshtarëve. Në krah të tij shkëlqeu më në fund Kajri Irving duke shënuar 38 pikë, por e gjithë pjesa tjetër e skuadrës realizoi vetë 36.
Golden Stejti ishte më i fortë në tabela (44-37 topat e kapur) dhe në asiste (29-17), po ashtu gjuajti më shumë për 3 pikë, duke vendosur një rekord të finaleve në pjesën e parë.
Kevin Durant shënoi 31 pikë, kapi 8 topa në tabela, dha 4 asistë, vodhi 1 top dhe bllokoi një gjuajtje. Klej Tompson pati 30 pikë, dhe Stefën Kërri 26, duke kapur edhe 13 topa në tabela.
Uorriors vazhdimisht ishte përpara, por në çerekun e katërt, Klivlendi kaloi deri në 7 pikë epërsi (94-87). U desh Duranti në formën më të mirë, me 14 pikë në këtë pjesë, që gjithçka të përmbysej.
Asnjë skuadër nuk ka arritur dot 15 fitore radhazi pa asnjë humbje në plej of, dhe jo vetëm në NBA, por në asnjërën nga katër ligat e mëdha sportive në Shtetet e Bashkuara.
Basketbolli, futbolli amerikan, bejsbolli dhe hokeji në akull kanë për rekordmenë vetëm Golden Stejtin. Po ashtu, asnjë skuadër në historinë e NBA-së nuk ka përmbysur shifrat 0-3 në finalen e madhe. Gjithsesi, deri vjet asnjë skuadër nuk kishte përmbysur dizavantazhin 1-3, por Klivlendi e bëri.
Ndeshja e katërt luhet duke u gdhirë e shtuna në Shqipëri, dhe do të jetë sërish në Klivlend. Nëse Golden Stejti fiton, shpallet kampion i NBA-së për herë të dytë në 3 sezonet e fundit.
Sfidanti.al