Elbasani mban gjallë shpresat për titullin, kapitullon Dinamo

Elbasani ka marrë një fitore të rëndësishme 3-0 ndaj Dinamo City-t në javën e dytë të “Final 4”, duke mbajtur të hapura shpresat për titullin kampion dhe duke e çuar garën deri në ndeshjet e fundit të sezonit.

Ndeshja u vendos praktikisht që në pjesën e parë, ku verdheblutë dominuan totalisht kundër një Dinamoje të riorganizuar me shumë mungesa dhe me një formacion të improvizuar në mbrojtje dhe mesfushë.

Momenti kyç i takimit erdhi kur gjyqtari Hamiti, pas ndërhyrjes së VAR-it, ndëshkoi me karton të kuq Gudiabin, duke e lënë Dinamo City-n me një lojtar më pak. Ky episod i hapi plotësisht rrugën Elbasanit, i cili shënoi tri herë brenda pjesës së parë dhe praktikisht e “mbylli në kasafortë” ndeshjen.

Në pjesën e dytë, ritmi ra ndjeshëm, me të dy skuadrat që menaxhuan energjitë dhe rezultatin, ndërsa Elbasani kontrolloi pa vështirësi avantazhin e krijuar.

Falë këtij triumfi, skuadra e Ivan Gvozdenović-it ka arritur të barazojë me pikë Egnatian në krye të renditjes, duke e bërë edhe më të fortë garën për titullin.

Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të “Final 4”, renditja është tepër e ngjeshur: Egnatia dhe Elbasani kryesojnë me nga 34 pikë, Vllaznia ndjek me 31 pikë, ndërsa Dinamo mbyll renditjen me 27 pikë.

Dy sfidat vendimtare që do të përcaktojnë kampionin janë Egnatia–Dinamo dhe Elbasani–Vllaznia, ku gjithçka mbetet ende e hapur për trofeun e sezonit.

sfidanti.al