Mbape do të jetë “Mbreti” i ri! A do t’i paguajë Reali 135 milionë euro?

Nuk dëshiron të ndalet çmenduria financiare në futboll. Një tjetër yll pritet të kushtojë shifra të tjera, pasi rekordeve të vendosura më parë nga Kristiano Ronaldo, Garet Bejl apo Pol Pogba. Njeriu i momentit është Kilian Mbape, zbulimi i madh i edicionit në kampionatin francez dhe i Ligën e Kampionëve. Pasi shënoi 26 gola në 44 ndeshje, diçka e rrallë për një lojtar 18-vjeçar, ai po kërkohet nga klubet më të mëdhenj të Europës.

Klubi i tij i Monakos pret që Reali i Madridit të bëjë ofertën rekord prej 135 milionë eurosh, ofertë që do ta  tejkalonte ndjeshëm shifrën e 105 milionë eurove që Mançester Junajtid pagoi për Pol Pogbanë verën e kaluar. Gara për të marrë kartonin e Mbapesë tashmë ka nisur.

Mediat britanike njoftojnë se pikërisht Mançester Junajtid i ka thënë zyrtarisht Monakos se i jep 113 milionë paund stërlina, baraz me 130 milionë euro. Të njëjtat burime theksojnë se Pep Guardiola ka ndërmend të shpenzojë 105 milionë paund, apo 120 milionë euro për sulmuesin e ri të Francës, ndërsa me drejtuesit e Monakos pritet të takohen trajneri i Arsenalit, Venger, dhe drejtuesi i klubit londinez, Gazidhis. Arsenali, sipas mediave, jep mbi 125 milionë euro.

Reali duket favorit për ta marrë Mbapenë, ndonëse klubet angleze mund t’i japin më shumë garanci për të luajtur titullar dhe në pozicionin që ai pëlqen më shumë, qendërsulmues.

Sfidanti.al