Manchester United e Chelsea ‘përplasin brirët’ për Paulo Dybalën

Klubet e Premier League hedhin sërish sytë nga Juventusi duke shfaqur interesin për Paulo Dybalën. Janë pikërisht Manchester United dhe Chelsea ato që kanë rihapur garën për futbollistin argjentinas dhe do të tentojnë blerjen e tij gjatë merkatos së kësaj vere. ‘Djajtë e Kuq’ kërkojnë një zëvendësues për Zlatan Ibrahimovic, edhe pse Rashford në ndeshjet e fundit bëri një paraqitje shumë të mirë. Ideja fillestare e Manchester United ishte blerja e Griezmann, por vendimi i CAS për të mbajtur në fuqi bllokimin e merkatos së Atletico Madrid bëri që Mourinho t’i rikthehet cështjes Dybala. Ndërsa te Chelsea, problem u bë Hazard që do të qëndrojë jashtë fushave për 3 muaj për shkak të dëmtimit në kavilje. Kështu që Dybala përkufizohet si alternativa më e mirë për të zëvendësuar belgun. Nuk e dimë nëse do të ketë apo jo një ankand mes Manchester United e Chelseat për Dybalën, pasi gjithcka do të varet nga Juventusi. Drejtuesit e klubit torinez në të vërtetë e kanë vendosur Dybalën në qendër të projektit të tyre për të ardhmen, gjë që vërtetohet nga rinovimi i kontratës me të deri në 2022. Por ata mund të ndryshojnë mendje nëse në drejtim të tij vjen ndonjë ofertë që mund t’i tundojë deri në atë pikë sa të lejojnë talentin argjentinas të largohet nga Torino.

sfidanti.al