Ky sezon mund të konsiderohet si tërësisht i dështuar për Partizanin, teksa të kuqtë mbetën zyrtarisht jashtë “Final Four” dhe njëkohësisht edhe jashtë Kupave të Europës për sezonin e ardhshëm.
Humbja ndaj Egnatias dhe diferenca prej katër pikësh me Dinamon e vendit të katërt e bëjnë praktikisht të pavlefshme përballjen e fundit direkte mes dy skuadrave, pasi tashmë gjithçka duket e vendosur në garën për katërshen e parë. Për një klub me historinë dhe pretendimet e Partizanit, ky përfundim përbën një goditje të rëndë, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë ekonomik. Mungesa në Kupat e Europës pritet të ndikojë ndjeshëm edhe në financat e klubit, duke qenë se pjesëmarrja në kompeticionet europiane përbën një nga burimet kryesore të të ardhurave për klubet shqiptare. Drejtuesit pritet të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen, duke nisur nga zgjedhja e trajnerit të ri dhe ndërtimi i një projekti më të qëndrueshëm. Klubi ka nevojë për stabilitet dhe vazhdimësi, në mënyrë që të rikthehet sërish në nivelet më të larta të futbollit shqiptar dhe të luftojë për objektivat që i takojnë historisë së tij.
sfidanti.al