“Shigjeta helmuese” e parë i vjen Luis Enrikes nga Zhordi Alba

Luis Enrike vendosi që t’i japë fund qëndrimit të tij trevjeçar si trajner i Barcelonës dhe të ndahet miqësisht me lojtarët e tij, por, ndërkohë që shumica e lojtarëve, mes tyre edhe Mesi, e vlerësoi me fjalë mjaft pozitive punën e Luços (Enrikes) te Barcelona, dje, erdhi edhe mesazhi i parë negativ lidhur me marrëdhëniet e trajnerit me ndonjë lojtar. Habi përbën fakt se ai vjen nga Zhordi Alba që ka qenë lojtar i formacionit të parë deri para pjesës finale të sezonit dhe kjo duket se ka lënë gjurmë te ky futbollist.

Barcelona, para pak ditësh, njoftoi, edhe zyrtarisht, se trajner i Barcelonës, tani, do të jetë Ernesto Valverde që, deri tani, ka drejtuar Atletikon e Bilbaos dhe kjo gjë duket se e ka frymëzuar më shumë Zhordi Albën: “Jam shumë i lumtur për ardhjen e Valverdes. Mendoj se bëhet fjalë për një trajner mjaft kurajoz që preferon të luajë një futboll të vërtetë. Të gjithë flasin mirë për të. Sigurisht që unë do të jem më mirë me Valverden sesa me Enriken, pasi me të (Enriken) unë nuk sigurova minutazhin e lojës që meritoja”, tha Alba.

Sfidanti.al