Futbolli i Championsit të jep mundësi të bësh pak a shumë atë që dëshiron, dhe këtë po e ndjen përsëri Jurgen Klopi. Trajneri gjerman i Liverpulit ka mundësi të realizojë një goditje të madhe, që do të ishte edhe rekordi i transferimeve për një mbrojtës, në nivel botëror. Virgil Van Dajk është futbollisti difensiv që pëlqehet nga të gjithë, pasi përveç Klopit, në gjurmët e tij janë edhe Antonio Konte i Çelsit dhe Pep Guardiola i Mançester Sitit.
Dëshira e Van Dajkut duket se do të jetë vendimtare, edhe pse Sauthemptoni nuk do të dorëzohet pa marrë 60 milionë paund stërlina, që do të thotë diçka më pak se 70 milionë euro. “Dua që të punoj me Klopin”, – mësohet se ka thënë talenti 25-vjeçar holandez. Sauthemptoni e mori Van Dajkun për 15 milionë dhe pritet të fitojë shumë, ndërsa Klop duhet të thyejë rekordin e blerjeve të Liverpulit, me 35 milionë stërlina për Fernando Torresin, disa vjet më parë, ndryshe nuk mund t’ia dalë.
Sfidanti.al