Peshëngritja shqiptare vazhdon të sjellë rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare. Shtangisti i ri, Samoel Rrasa, ka fituar medalje argjendi në Kampionatin Botëror për të rinj, që po zhvillohet në Ismailia, duke konfirmuar talentin dhe potencialin e tij.
Në kategorinë 65 kg, Rrasa u rendit i dyti në stilin e shkëputjes, ku zhvilloi një garë shumë të qëndrueshme. Ai realizoi me sukses të tri provat, duke ngritur fillimisht 126 kg, më pas 130 kg dhe në tentativën e fundit 134 kg, rezultat që i siguroi medaljen e argjendtë. Në stilin e shtytjes, paraqitja e tij ishte më pak e suksesshme. Sportisti shqiptar ngriti 152 kg në provën e parë, por nuk arriti të realizojë dy tentativat e tjera me 156 kg. Për këtë arsye, ai u rendit në vendin e pestë në këtë disiplinë.
Në klasifikimin e përgjithshëm në dygarësh, me total 290 kg, Rrasa u pozicionua në vendin e katërt, shumë pranë zonës së medaljeve. Pavarësisht kësaj, performanca e tij mbetet shumë premtuese. Rezultatet tregojnë se Samoel Rrasa është një nga talentët më të spikatur të peshëngritjes shqiptare dhe një emër për t’u ndjekur në të ardhmen.
Sfidanti.al

