Golden Stejt pa mëshirë ndaj Lebronit, Durant dy ndeshje larg titullit!

Favoritët po i respektojnë parashikimet. Basketbollistët e Golden Stejtit arritën edhe fitoren e dytë në duelin e madh dhe përfundimtar për titull ndaj Klivlendit. Me katërshen magjike në fushë, Durant-Kërri-Tompson-Grin, ata u dukën sërish të paprekshëm, madje edhe përballë Lebron Xhejmsit. Ylli më i madh i koshit në të gjithë botën u dorëzua sërish, dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe.

Kevin Durant, më i miri lojtar i Golden Stejtit në fazën finale deri tani, shënoi 33 pikë, duke udhëhequr një skuadër të ndërtuar vetëm për një qëllim, fitoren e NBA-së. Ai ndihmoi edhe me 6 topa në tabela, 3 asistë, por sidomos me 5 vjedhje topi kundërshtarëve, duke qenë i shkëlqyer në mbrojtje.

Nuk mbeti prapa Stefën Kërri. Ai realizoi tripëll dabëllin e parë në plej of në karrierë, me 32 pikë, 10 topa në tabela dhe 11 asistë, duke ndihmuar që të thyhej rezistenca e kampionëve në fuqi. Klej Tompson shtoi 22 pikë, ndërsa Drejmond Grin bëri pjesën e tij me 12 pikë, 6 topa në tabela dhe 6 asistë.

Golden Stejti pati për herë të parë në stol, në plej of, trajnerin Kerr, që ishte i sëmurë, dhe e festoi duke arritur bilancin 14 fitore e 0 humbje, më mirë se kushdo tjetër në histori.

Lebron luajti shumë mirë dhe bëri që ndeshja të mbetej në ekuilibër deri pranë fundit të pjesës së tretë.

Ai realizoi një tripëll dabëll me 29 pikë, 11 topa në tabela dhe 14 asistë. Këtyre u shtoi edhe 3 vjedhje topi dhe 1 bllokim gjuajtjeje, por sërish nuk mundi të fitonte i vetëm. Kevin Lov u përpoq t’i bëhej krah me 27 pikë, por Kajri Irving nuk e pati të lehtë duke arritur vetëm në kuotën 19. Ndeshja e tretë finale luhet duke u gdhirë e enjtja në Shqipëri, dhe do të jetë në fushën e Klivlendit.

Sfidanti.al