Kombëtarja, ose pengu i një konflikti “në familje”!

Nuk ka gjë më të keqe për një familje sesa kur i hyn sherri në shtëpi. Përderisa edhe një skuadër futbolli shpesh cilësohet si një familje, edhe kjo e ka fatale konfliktin, qoftë ky i hapur ose i fshehtë. Nuk e kemi fjalën aspak për krisjen e Xhani De Biazit me ndonjë prej lojtarëve të tij, siç ka ndodhur me Taulant Xhakën, Ergys Kaçen apo më parë me Shkëlzen Gashin, Besart Berishën e Alban Mehën.

Konflikti kryesor është ai mes dy “gjelave”, pikërisht De Biazit dhe “të zotit të shtëpisë”, Armand Duka. Të dy prej kohësh nuk e shohin me sy njëri-tjetrin, të dy bëjnë plane, i pari për t’u larguar dhe për t’ia “ngecur dopio gjashtën në dorë”, dhe i dyti për ta larguar kur t’i rrëshqasë këmba. Vetëm suksesi i madh në Europian bëri që italiani të ishte i paprekshëm dhe Duka si politikan që është, kuptoi dëshirat e publikut dhe nuk e shkarkoi në asnjë moment.

Gjithsesi, ky konflikt ka sjellë jo pak dëm në rezultatet dhe në lojën e skuadrës, pavarësisht se ka edhe arsye të tjera si ngopja nga Europiani apo largimi i kapitenit Lorik Cana. Me këtë “gërnjë” kombëtarja jo vetëm u bë sërish “normale” duke zbritur në vendin e katërt, por edhe mbetet një ekip “indiferent” që rrezikon dështime të tjera. Sepse, konflikti nuk është shuar, por as nuk është zgjidhur nga një pajtim apo ndarje të palëve.

Kombëtarja ka me radhë ndeshje të vështira si në Izrael, në Maqedoni, në Spanjë dhe në “Loro Boriçi” ndaj Italisë. Vetëm me pikët e Lihtenshtajnit thuajse të sigurta, ajo rrezikon të përfundojë e parafundit në grup, ndërsa shpëtimi do të jetë vetëm ikja e trajnerit. Kjo, veçse, do të ndodhë sipas të gjitha gjasave vetëm në fund të edicionit.

Sfidanti.al