Një moment i pazakontë dhe prekës u regjistrua këtë javë në një ndeshje amatore futbolli në Stamboll, kur loja u ndal për të shpëtuar jetën e një pulëbardhe. Gjatë një largimi të topit nga portieri i Istanbul Yurdum Spor, një pulëbardhë që fluturonte ulët u godit aksidentalisht dhe ra në tokë. Pamjet tregojnë se zogu mbeti i palëvizshëm në fushë, ndërsa lojtarët dhe tifozët mbetën të shtangur. Kapiteni i skuadrës, Gani Catan, reagoi menjëherë. Ai vrapoi drejt pulëbardhës dhe nisi t’i bëjë masazh kardiak, duke shtypur lehtë kraharorin në përpjekje për t’i rikthyer frymëmarrjen. Sipas vetë lojtarit, instinkti i parë ishte të provonte një “masazh zemre”, pasi zogu nuk po merrte frymë. Pas disa sekondash tensioni, pulëbardha filloi të lëvizte dhe të merrte frymë. Catan e mori me kujdes në duar dhe e çoi jashtë fushe, ku stafi mjekësor i ndeshjes u kujdes për të. Raportohet se zogu pësoi dëmtim në krah, ndërsa gjendja e tij e mëvonshme nuk është bërë e ditur.
Edhe komentatori i ndeshjes nuk e humbi momentin, duke theksuar se ishte një skenë që rrallë shihet në historinë e futbollit. Megjithëse skuadra e Catan humbi ndeshjen dhe u eliminua nga play-off-i, kapiteni tha se shpëtimi i një jete ishte më i rëndësishëm se çdo titull. Një gjest human që për disa minuta e ktheu fushën e futbollit në një skenë solidariteti dhe ndjeshmërie.
Sfidanti.al

