Deschamps mbron ‘egoizmin’ e Mbappé

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka dalë në mbrojtje të Kylian Mbappé-së, pasi kapiteni i “bluve” është në qendër të kritikave për angazhimin e tij fizik në terren. Në një debat me shtypin në Laval, Deschamps dhe asistenti i tij, Guy Stéphan, u përballën me një pyetje të drejtpërdrejtë: Mbappé ishte i vetmi lojtar i kombëtares që “nuk vraponte”. Me një shaka fillestare për portierin, trajneri u përgjigj me vendosmëri: “Ky është mendimi juaj. Unë mendoj se nuk është kështu, edhe nëse disa vraponin më pak se të tjerët. Nëse dëshironi që ai të vrapojë të paktën 11 kilometra për ndeshje, mos u mundoni, ai nuk do ta bëjë kurrë”. Stéphan e çoi diskutimin më tej, duke theksuar se Mbappe i jep ekipit pikërisht atë që duhet: “Ai kryen vrapime me intensitet të lartë”. Deschamps e mbylli temën me një deklaratë të qartë për rolin e sulmuesit të Real Madridit: “Kylian-in, qofshi dakord apo jo, të rinjtë e adhurojnë. Ju keni imazhin e një njeriu egoist dhe individualist, dhe është e vërtetë që një sulmues duhet të jetë pak egoist. Por ju siguroj se në funksionimin e ekipit kombëtar francez, ai sillet si një kapiten i vërtetë”.

Këto komente vijnë në një kohë kur Mbappé sapo ka bërë të qartë qëndrimin e tij për ekipin: “Nuk mund të jemi një ditë po dhe një ditë jo, ky nuk është mentalitet i një kampioni”. Deschamps duket se po e përkrah plotësisht këtë filozofi, duke e mbajtur atë si një lider thelbësor për Francën, pavarësisht nga statistikat e vrapimit. Mesazhi është i qartë: vlera e Mbappé-së nuk matet me kilometrazh, por me ndikimin dhe vendimmarrjen që ai sjell në fushë.

sfidanti.al