Komiteti Ekzekutiv pa bojë…

Në kuadër të një tjetër katërvjeçari të ndritur me suksese që kalojnë edhe majën më të lartë të botës (Everestin), Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit mbylli bilancet e mandatit të radhës me shpresën se shumë anëtarë të kësaj tryeze do të bindin me …ide zgjedhësit e tyre në datën 16 shkurt. Asambleja e radhës do të na propozojë 12 emra për 10 karrige dhe vetëm një emër për kolltukun e rëndë që bën hije edhe mbi ndonjë kandidat të mundshëm që mund të futet në garë sa për sy e faqe.

Gjithsesi, ndalemi vetëm pak rreshta te Komiteti i famshëm që për nga emri nuk na lë shije të ëmbël për shkak të historisë traumatike në 45 vite komunizëm. Ky komunitet ka ngjashmëri të frikshme me atë të Partisë ku “dora në allçi” u betonua për më shumë se 4 dekada, ndërsa në këtë Komitetin tonë vetëm për 4 vjetet e fundit (me këta emra), por aq ngrohtë është ajo dorë e ngritur në atë pozicion sa të gjithë në këtë tryezë do ta kishin për “nder” një rizgjedhje tjetër.

Në fund të fundit, nuk kanë harxhuar laps e bojë për të hedhur në letër ndonjë ide dhe mbi të gjitha janë kursyer në mendime duke ia lënë këtë barrë të rëndë kreut të Federatës. A kemi dëgjuar ndonjëherë në këto 4 vjet ndonjë mendim kundër? Kujdes! Dikush mund ta krahasojë me tryezën e Qeverisë së Madhe por në ndryshim nga ekzekutivi, anëtarët e Komitetit të futbollit janë të zgjedhur me votë nga shoqatat edhe pse të gjithë jemi të vetëdijshëm se “ok” për çdo votë e kanë marrë nga i plotfuqishmi.

Të gjitha mbledhjet e këtyrë 4 viteve duken si një fotokopje që me kalimin e muajve ka mbaruar edhe bojën e tashmë edhe pse nuk lexohen, merren me mend çfarë kanë firmosur prandaj risia edhe këtë herë do të jetë ndërrimi i kutisë së bojës, e me këtë të renë do të lexojmë më qartë në kokën e tyre…gjithmonë nëse dikush guxon të mendojë se si t’i japim oksigjen dhe jo si ta mbysim lojën me top.

Nga Pirro Bardhyli