Leo Messi pranë rikthimit në shtëpi

A do të rikthehet Leo Messi aty ku nisi gjithçka? Prej vitesh kjo pyetje ka shoqëruar tifozët argjentinas dhe botën e futbollit, ndërsa tani skenari duket më konkret se kurrë. Sipas informacioneve të publikuara nga TuttoMercatoWeb, Newell’s Old Boys ka arritur një marrëveshje parimore me ‘yllin’ argjentinas për një rikthim simbolik në vitin 2027. Pengesa kryesore gjatë këtyre viteve ka qenë gjithmonë siguria e lojtarit dhe e familjes së tij në qytetin e Rosarios, por ardhja e presidentit të ri të klubit, Ignacio Boero, ka ndryshuar rrjedhën e bisedimeve. Ai ka ndërmarrë hapa konkretë dhe vendimtarë për ta bërë realitet kthimin e “Pleshtit”.

Sipas marrëveshjes paraprake, Messi do të kalonte te Newell’s në formë huazimi gjashtëmujor, nga janari deri në qershor 2027, për t’u rikthyer më pas tek Inter Miami, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2028. Një rikthim emocional dhe historik, edhe pse për një periudhë të shkurtër. Një detaj shumë i rëndësishëm lidhet me aspektin e sigurisë: Boero ka zhvilluar takime edhe me guvernatorin e Santa Fe, Maximiliano Pullaro, për të ndërtuar një plan të posaçëm që do t’i garantonte Messi-t dhe familjes së tij qetësinë e nevojshme gjatë qëndrimit në Argjentinë.

Drejtuesit e Newell’s janë optimistë se do të mund ta mirëpresin sërish legjendën dhe t’i dorëzojnë fanellën me numrin 10. Për Messin, në horizont është fillimisht Botërori, që do të zhvillohet verën e ardhshme me Argjentinën, e më pas ndoshta përqafimi i madh me tifozët e qytetit të tij. Në Rosario shpresa është e madhe, por si gjithmonë, vendimi final do t’i takojë vetë Leo Messit.

sfidanti.al