Futbollisti uellsian, Ioan Evans, ka ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare, lajm i konfirmuar zyrtarisht nga klubi i tij, Afan Lido. Një humbje e rëndë që ka tronditur komunitetin e futbollit në Uells. Evans ishte një nga lojtarët me shërbimin më të gjatë te skuadra që militon në JD Cymru South, duke realizuar 16 gola në 127 ndeshje që prej bashkimit me klubin në vitin 2020. Sulmuesi i dashur kishte mbajtur gjithashtu edhe shiritin e kapitenit në disa raste, duke qenë një figurë kyçe brenda dhe jashtë fushës. Në deklaratën prekëse të publikuar nga Afan Lido thuhet:
“Me zemrat më të rënda të mundshme, të gjithë te Afan Lido FC jemi të shkatërruar nga lajmi për ndarjen tragjike nga jeta të Ioan Evans. Nuk gjejmë fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen tonë në këtë moment.” “Ioan e donte të ishte lojtar i Lidos, ishte një njeri i përkushtuar ndaj klubit dhe jashtëzakonisht i dashur nga të gjithë. Ai kishte kohë për këdo dhe disa fjalë me Ioan mjaftonin gjithmonë për të të sjellë buzëqeshjen.”
“Edhe pse ishte njeriu më i vogël në dhomë, kishte ndikimin më të madh te njerëzit përreth tij.” Klubi bëri me dije se do t’u ofrojë mbështetje bashkëlojtarëve të tij dhe se do të hapet një libër ngushëllimesh në ambientet e klubit, ku të gjithë do të kenë mundësinë të ndajnë kujtime dhe të nderojnë figurën e tij. “Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e Ioanit në këtë moment jashtëzakonisht të dhimbshëm. Prehu në paqe, Ioan. Do të mbetesh gjithmonë në kujtesën tonë.” As klubi, as familja nuk kanë komentuar mbi shkaqet e kësaj humbjeje të parakohshme.
sfidanti.al

