Bylisi nuk ndalet në merkato. Pas prezantimit të një portieri dhe një sulmuesit, klubi mallakastriot prezanton edhe një afrim në mbrojtje. Mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut, Dime Dimov është zyrtarisht nëj lojtar i Bylisit. 31-vjeçari është një lojtar me eksperiencë dhe së fundmi është aktivizuar në Indonezi. “Dime Dimov, mbrojtësi shtatlartë nga Maqedonia e Veriut, eksperienca e të cilit është formuar në klube të njohura të shtetit të tij, por edhe në Bullgari e së fundmi në Indonezi. Vlen të theksohet se ka qenë titullarë në çdo klub ku ka luajtur”, shkruhet në njoftimin e klubit.
Ndërkohë, mallkastriotët plotësuan edhe boshllëkun e krijuar në portë pas dëmtimit të Ion Kristian Gurau dhe zyrtarizojnë portierin e kombëtares së Letonisë. Bylisi është përforcuar edhe në sulm, pasi kanë firmosur me Jacques Fokam, që së fundmi ka luajtur në elitën e futbollit çek.
“Portieri i Kombëtares së Letonisë, 30-vjeçari Robert Ozols, me eksperiencë në disa klube të njohura në shtetin e tij si: Riga, Daugava, Liepaja dhe Auda si dhe në Uzbekistan. Ozols pritet që të jetë një pikë e fortë në katërkëndorin e portës së skuadrës sonë”, shkruhet në njoftimin e klubit mallakastriot.
“Jacques Fokam, sulmues 24-vjeçar i cili vjen si përforcim në repartin ofensiv të skuadrës sonë. Fokam pritet që të rrisë cilësinë dhe konkurrencën me eksperiencën e tij, ku së fundmi ka luajtur në Superligën e Çekisë, me Dukla Pragën, por nuk mungojnë edhe eksperiencat e tjera në Danimarkë dhe USA”, shkruhet në njoftimin e klubit.

