Lindsey Vonn rrëzohet rëndë pak para Olimpiadës, pjesëmarrja në pikëpyetje

Një incident i frikshëm ka tronditur botën e sporteve dimërore vetëm pak ditë para nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026. Legjenda amerikane e skive alpine, Lindsey Vonn, ka pësuar një rënie të fortë gjatë një gare të Kupës së Botës në Crans-Montana, duke u dëmtuar në gju. Rënia ndodhi gjatë garës së zbritjes, në kushte të vështira atmosferike dhe me dukshmëri të ulët. Vonn humbi kontrollin pas një kërcimi dhe u përplas me rrjetat mbrojtëse, duke shkaktuar shqetësim të madh te stafi dhe tifozët e pranishëm.

41-vjeçarja u ndihmua fillimisht në pistë dhe më pas u transportua me helikopter për ekzaminime të detajuara mjekësore. Edhe pse arriti të largohej nga pista me forcat e veta, dhimbjet në gju ishin të dukshme. Megjithatë, Vonn ka tentuar të qetësojë situatën përmes një reagimi publik, duke theksuar se “ëndrra olimpike nuk ka mbaruar” dhe se do të presë vlerësimin përfundimtar të mjekëve për të vendosur mbi pjesëmarrjen në Olimpiadë. Lindsey Vonn, e rikthyer në gara pas tërheqjes në vitin 2019, shihej si një nga favoritët për medalje në Milano–Cortina. Gjendja e saj shëndetësore pritet të jetë vendimtare për fatin e saj olimpik në ditët në vijim.

Sfidanti.al