NBA, Paul George i Philadelphia 76ers pezullohet për 25 ndeshje

Ylli i Philadelphia 76ers, Paul George, është pezulluar për 25 ndeshje nga NBA-ja për shkelje të kushteve të Programit Antidrogë të Ligës, njoftuan sot zyrtarët e NBA-s. Pezullimi pa pagesë filloi të shtunën, në ndeshjen kundër New Orleans Pelicans, dhe do të zgjasë deri më 25 mars, kur 76ers do të luajnë kundër Chicago Bulls. George, 35 vjeç dhe në sezonin e tij të 16-të në NBA, deklaroi se ka marrë një medikament “të papërshtatshëm” teksa ishte duke trajtuar një çështje personale të shëndetit mendor. Ai mori përgjegjësinë e plotë për gabimin dhe kërkoi falje ndaj organizatës, bashkëlojtarëve dhe tifozëve. Kjo është hera e parë që George – një nëntë herë All-Star – shkel politikën antidrogë të ligës. Pezullimi do t’i kushtojë atij rreth 11.7 milionë dollarë nga paga e këtij sezoni. Sezona e tij me 76ers këtë vit përfshin mesatare prej 16 pikëve, 5.1 kërcime dhe 3.7 asistime në 27 ndeshje, duke qenë lojtari i tretë më i mirë në shënim pas Tyrese Maxey dhe Joel Embiid. Pezullimi vjen në një moment kritik për Philly, që aktualisht renditet e gjashta në Konferencën Lindore me një rekord 26-21 dhe synon vend direkt në Play-Off.

sfidanti.al