Lushnja mbetet pa trajner

Viti 2026 ka nisur në mënyrën më të keqe për Lushnjën. Ekipi verdheblu mbetet i vetmi pa trajner në kampionat, në një moment delikat kur duhej të ishte fokusuar te përforcimet dhe ringritja pas një pjese të parë sezonale zhgënjyese.

Pas largimit të Ditmar Bicajt, situata në klub është përfshirë nga thashetheme për përplasje të brendshme, tensione dhe madje edhe “komplote” brenda strukturave drejtuese. Në vend që të qartësohej drejtimi sportiv, paqartësia vetëm sa është thelluar.

Gjatë ditës së sotme ka qarkulluar lajmi se trajneri i ri i Lushnjës do të jetë Bledi Kadiu, i cili drejtoi Luzin në këtë sezon. Ky informacion ende nuk është zyrtarizuar nga klubi, ndërsa burime të tjera hedhin poshtë këtë pistë.

Sipas burimeve pranë ambientit lushnjar, alternativa tjetër serioze për stolin është Judmir Gaxheli, ish-futbollist i njohur i Lushnjës, një emër që gëzon respekt te tifozët dhe ambienti sportiv i qytetit.

Ndërkohë, konfuzioni duket se shtrihet edhe përtej klubit. Me sa duket, vetë Bashkia e Lushnjës është e përfshirë në këtë ngërç dhe nuk po arrin të japë një zgjidhje të qartë për situatën, duke lënë skuadrën në pritje dhe pa orientim.

Koha po kalon, merkatoja është në lëvizje dhe Lushnja rrezikon të mbetet edhe më pas në garën për objektivat e sezonit, nëse kjo situatë nuk merr një zgjidhje të menjëhershme.