Shkëndija e Tetovës dhe “shkëndija” që nuk e ndez fitilin e Shqipërisë

Kualifikimi i Dritës dhe Shkëndijës në fazën play-off të Europa League është një lajm që duhet të krenojë jo vetëm shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por të gjithë tifozët shqipfolës që e dashurojnë lojën dhe artin e fuqinë që pasqyron futbolli. Mesazhi është i fortë, por edhe më të forta janë financat e dy klubeve shqiptare, me rreth 12 milionë euro në total që shkojnë në arkat e tyre, duke dhënë shembuj të vërtetë suksesi, trashëgimi që nuk arriti ta ruante Skënderbeu shumë vite më parë në Shqipëri.

Drita, por mbi të gjitha Shkëndija, kanë ndërtuar një model të suksesshëm biznesi dhe marketingu, duke mos prekur thelbin e lojës dhe fair play-t. Mbi baza të shëndosha dhe pa shumë burokraci, kuqezinjtë e Tetovës tashmë janë një realitet i dukshëm që rrezaton në të gjitha trojet ku flitet shqip.

Me një president të fortë pas krahëve, por gjithmonë të aftë për t’i fituar me djersë të ardhurat, drejtuesit e Shkëndijës kanë treguar në vitet e fundit se një klub mund të mbijetojë pa problem dhe madje të jetë i suksesshëm edhe kur pronari vendos të ndërpresë financimet. Nuk ka rëndësi kush është sot president i Shkëndijës, sepse ky klub ka ndërtuar një model që të gjithë ëndërrojnë ta ndjekin, por pakkush arrin ta kopjojë.

Në Maqedoninë e Veriut është skuadra dominuese e dekadës së fundit, ndërsa në Europë po mban lart flamurin e krenarisë së një vendi me shumë probleme edhe në futboll. Në realitetin e Shqipërisë sot, një Shkëndijë nuk po ndizet dhe me gjasë nuk do të ndizet për shumë vite, pasi barutin e kanë lagur me qëllim.

Ndërtimi i klubeve mbi bazën e fuqisë së padiskutueshme te të njëjtët njerëz është shembulli më i qartë i dështimit të gjithë sistemit, pasi lojën dhe idetë nuk i shpërndajmë në mënyrë kapilare te kompetentët e lojës, por lojën e bëjnë kompetentët e zyrave.

Nga Pirro Bardhyli