Mesi shkëlqen edhe kur Barcelona fiton vetëm Kupën e Mbretit!

Një trofe me emrin e Mbretit duhet të quhet i rëndësishëm, por gjigandët e Spanjës e quajnë të dorës së tretë. Ishte Barcelona fituese e Kupës në një finale shumë interesante ndaj Alaveshit, por më shumë ra në sy sërish një emër, Lionel Mesi. Me formën maksimale që gëzon, dhe që u tregua edhë në fitoren në Madrid ndaj Realit për La Ligën, ylli i katalanasve ishte i papërmbajtshëm.

Mesi shënoi një gol shumë të bukur në kombinim me Nejmarin, por shkëlqeu sidomos në aksionin e golit të tretë, duke dribluar radhazi kundërshtarët, si në finalen e vjetshme ndaj Atletikut të Bilbaos.

Po ashtu, Leo, preku një rekord. Argjentinasi u bë i pari lojtar që nga Telmo Zarra në 1950 që shënon në katër finale të ndryshme të kupës. Numri 10 përfundoi një sezon të shkëlqyer në aspektin individual, edhe pse ekipi fitoi vetëm Kupën. Ai shënoi gjithsej 54 gola në 52 ndeshje, ndërsa në kampionat ishte në ritmin 37 gola në 34 takime.

Barcelona e mbylli mirë edicionin me fitoren e kupës së 29-të në histori, një rekord që është 6 kupa larg vendit të dytë, Bilbaos. Mesi, Nejmar e Pako Alkaser shënuan për fituesit, barazimi i përkohshëm 1-1 u arrit nga Teo Hernandez

Kjo ishte ndeshja e fundit në stol për Luis Enriken, pasi trajneri deklaroi që më parë se dotë largohej nga Baçra në fund të sezonit. Duke bërë shaka, trajneri asturian tha se “nuk ka vendosur kushte për të ardhmen, mund të ndryshoj edhe llojin e sportit”.

Sfidanti.al