Infantino si frymëzim për izolimin e Kombëtares

“The Guardian” në një shkrim të gjatë dhe të detajuar, e cilëson presidentin e FIFA-s, Giani Intantino si një njeri që mendon vetëm për paratë por jo për futbollin. Lidhjet e italianit me njerëz të fuqishëm nga bota e politikës deri në Shtëpinë e Bardhë dhe futja e hundëve edhe në futbollin e klubeve, e konturojnë si një president që për 9 vjet ka ndërtuar një perandori biznesi dhe jo sporti.

Por le të kthehemi e të flasim pak edhe për realitetin tonë të zymtë ku Infantinon tentojnë ta kopjojnë por pa sukses. Modeli “Infantino” po na imponohet dhunshëm me Kombëtaren, tashmë “pronë” e disave por jo e shqiptarëve. Askush në grupin kuqezi nuk guxon të flasë për një dorë të hekurt që kontrollon gjithçka. Kapiten Gjimshiti e ka gëlltitur në heshtje përjashtimin e tifogrupeve nga stadiumi në dobi të të ardhurave më të mëdha për FSHF-në edhe pse sportivisht janë lojtarët që e vuajnë në fushë mbështetjen e munguar të “Plisave” apo “Tifozave Kuq e Zi”.

Lojtarë të tjerë me peshë të madhe në Kombëtare por edhe në klubet e tyre që jo domosdoshmërisht e kanë varurr shpresën te fanella e Shqipërisë si Hysaj, Balliu, Asllani, Ramadani e shumë të tjerë, gjithashtu heshtin ndaj modelit të imponuar ku Kombëtarja na serviret si një lodër e bukur vetëm në reklamat e rrjeteve sociale. Nëse analizojmë modelin e futbollit në vend atëherë medalja ka një tjetër faqe, atë të dështimit total edhe në arkëtime. Një model i dështuar sportivisht dhe financiarisht që ndoshta as Infantino dora vetë nuk do të mundej ta bënte efikas.

Sfidanti.al