Jo vetëm Bakaj e Lika, as Fabregas nuk luan ndaj ish-skuadrës!

Sesk Fabregas nuk do të luajë nesër në finalen e Kupës së Anglisë kundër ish-ekipit të tij, Arsenalit. Mesfushori i Çelsit sikur i përngjan futbollistëve shqiptarë që po tërhiqen njëri pas tjetrit nga “finalja e mbijetesës”, po nesër mes Vllaznisë dhe Tiranës, ndonëse rasti i tij është pak më i ndryshëm. Nëse Elis Bakaj apo Gilman Lika nuk kishin dëshirë të luftonin kundër ish-skuadrave të tyre, Fabregas nuk ka pasur mundësi zgjedhjeje, dhe as nuk mund të ndodhë kjo në një futboll kaq shumë profesionist sa ai anglez.

Është një vendim i trajnerit Antonio Konte që ka vendosur ta ulë spanjollin në stol dhe, në vend të tij, të aktivizojë serbin Nemanja Matiç. Italiani mendon se Matiç, në krah të Lojtarit të Vitit në Premier Ligë, Kante, krijon më shumë ekuilibër në skuadër në një ndeshje kaq delikate sa ajo në “Uembli”. Fabregas ka qenë kapiten i Arsenalit, por pastaj u kthye tek Barcelona dhe u transferua tek Çelsi. Ai ka mundësi të hyjë në lojë gjatë ndeshjes, ndërsa shpresa është që të fitojë “dyfish”, pra bashkë me kampionatin, të ketë edhe kupën.

Sfidanti.al