Barcelona do të rikthehet më në fund në tempullin e vet, “Spotify Camp Nou”, pas plot 1.140 ditësh mungesë. Pas humbjes 3-0 ndaj Bayern Munich më 26 tetor 2022, ky stadium nuk ka pritur më ndeshje të Champions League për shkak të punimeve të rindërtimit. Tashmë, rikthimi është zyrtar: UEFA ka miratuar zhvillimin e sfidës Barcelona–Eintracht Frankfurt të datës 9 dhjetor, ora 21:00, pikërisht në shtëpinë historike të katalanasve. Vendimi u mor pasi u dha licenca e fazës 1B, e cila mundëson hapjen e tribunës kryesore dhe një kapacitet prej 45.401 spektatorësh. UEFA ka pranuar ndryshimin e stadiumit pa e parë si avantazh sportiv, duke marrë parasysh faktin se rikthimi vjen për shkak të përfundimit të një faze të rëndësishme të punimeve.
Institucioni europian ka kërkuar edhe praninë e publikut në përmasa të plota për këtë fazë dhe garantimin e 5% të vendeve për tifozët mysafirë. Për më tepër, inspektorët e UEFA-s do të jenë në “Camp Nou” më 29 nëntor, gjatë ndeshjes Barcelona–Deportivo Alavés, për të kryer vlerësimin final operativ. Ndeshja ndaj Eintracht Frankfurt është përfshirë në abonimin sezonal, duke mos sjellë asnjë kosto shtesë për abonentët. Biletat e lira do të hidhen në shitje së shpejti. Klubi i drejtuar aktualisht nga Hansi Flick e konsideron këtë rikthim një hap të rëndësishëm simbolik dhe sportiv në sezonin e tij.
sfidanti.al

