Klevi Qefalija rinovon me Dinamon, blu deri në 2028-ën

Mesfushori Klevi Qefalija ka rinovuar kontratën me Dinamo City-n. Lojtari 21-vjeçar ka hedhur firmën në kontratën e re me kryeqytetasit, me kohëzgjatje deri në vitin 2028. Qefalija, një nga titullarët më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga trajneri Ilir Daja, ishte në fund kontrate dhe drejtuesit e klubit kanë vepruar menjëherë për të “blinduar” mesfushorin. Në vitin 2023 mëngjarashi la Tiranën për të kaluar te Dinamo City, ku shpejt u shndërrua një nga elementët kyç të “Nëndetëses”. Progresi i Qefalijës me fanellën blu ka bërë që ai të marrë vëmendjen edhe të trajnerit të Kombëtares, Silvinjo, i cili e ka pasur vazhdimisht në vëzhgim dhe në listën B kohët e fundit.

Klubi i Dinamo City ka një politikë të qartë për lojtarët e talentuar me moshë të re, duke u dhënë mundësinë të rriten profesionalisht për të bërë më pas hapin e madh të kalimit në një kampionat të huaj. Kështu ndodhi verën e kaluar me sulmuesit Baton Zabërgja dhe Peter Itodo Mandela, të cilët u shitën në Ukrainë.

Klevi Qefalija ka shënuar 4 gola me fanellën e Dinamo City.

sfidanti.al