Frank Ilett, një tifoz i zjarrtë i Manchester United, është bërë protagonist i një premtimi që nga shaka u kthye në makth të vërtetë. Në tetor të vitit të kaluar, kur “Djajtë e Kuq” kalonin një periudhë të dobët, ai deklaroi me të qeshur se nuk do të qethej derisa skuadra e tij të siguronte pesë fitore radhazi. Ajo që dukej një sfidë e thjeshtë për një klub me emër të madh, rezultoi shumë më e vështirë nga sa pritej.
Më shumë se 400 ditë kanë kaluar dhe, pas dy trajnerëve të ndryshuar, Manchester United ende nuk e ka arritur serinë e famshme. Premtimi i tifozit është bërë viral, duke e kthyer Frankun në një figurë të njohur në komunitetin e tifozëve. Historia e tij madje ka mbërritur deri te Rubén Amorim dhe dhoma e zhveshjes së klubit të “Old Trafford”.
Sot, me flokë të gjatë dhe kaçurrela që i zbresin mbi supe, Frank vazhdon të mbajë fjalën e dhënë, pa shkelur zotimin as për një ditë. Megjithatë, ai shikon me padurim kalendarin. Më 8 dhjetor, Manchester United do të përballet me Wolves dhe tifozit i është ndezur shpresa se më në fund do të vijë momenti kur do të mund të rikthehet në karrigen e berberit. Ai thotë se shpreson që atë ditë premtimi i tij të marrë fund dhe kurora e tij me kaçurrela të mbetet vetëm një kujtim i çuditshëm i pasionit për klubin e zemrës.
sfidanti.al

