Reali dhe A22 bëjnë gati një padi 4.5 miliard euro për UEFA-n

Një kapitull i ri është hapur në betejën ligjore për projektin e Superligës Evropiane. Sipas mediave spanjolle, Real Madrid dhe kompania A22 Sports Management, promotore e projektit, po përgatisin një padi kundër UEFA-s me vlerë rreth 4.5 miliardë euro. Shuma përfshin dëmet ekonomike, humbjet e fitimeve dhe dëmin në reputacion që, sipas tyre, janë shkaktuar nga pengesat për nisjen e garës. Ky veprim shënon një ndryshim të qartë strategjie nga pala madrilene dhe A22, të cilat pas muajsh negociatash të dështuara kanë vendosur të kalojnë në kundërsulm. Ata akuzojnë UEFA-n për mosrespektim të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian të dhjetorit 2021, e cila kishte konstatuar se rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s mbi garat e klubeve përbënin abuzim me pozitën dominuese dhe kufizim të konkurrencës së lirë. Burime pranë A22 konfirmojnë se, pavarësisht disa takimeve mes CEO-së së A22, Bernd Reichart, dhe sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s, Theodore Theodoridis, negociatat janë ndërprerë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi formatin e garës. Sipas A22, UEFA ka “shtyrë me qëllim procesin” për të penguar formimin e Superligës. Në një deklaratë zyrtare, A22 theksoi: “UEFA nuk mund të vazhdojë të injorojë vendime gjyqësore të detyrueshme. Ajo ka abuzuar me monopolin e saj, duke shkaktuar dëm për klubet, lojtarët dhe gjithë ekosistemin e futbollit evropian.” Kompania nënvizon se qëllimi nuk është zëvendësimi i Champions League, por reformimi dhe modernizimi i futbollit evropian. Megjithatë, përballë refuzimit të vazhdueshëm nga Nyon, Real Madrid dhe A22 janë gati të hapin një front të ri ligjor, i cili mund të bëhet precedent historik për futbollin evropian.

sfidanti.al