CIES publikon renditjen e akademive më të mira në botë

Observatori i Futbollit CIES ka publikuar si çdo vit raportin e tij mbi akademitë më produktive në botë, duke analizuar klubet që kanë formuar futbollistë aktualisht aktivë në 49 kampionate profesioniste në mbarë globin. Renditja, e përfshirë në Weekly Post-in nr. 518, është bazuar në një indeks formimi që merr parasysh tre faktorë kryesorë: numrin e lojtarëve të formuar, nivelin e klubeve ku ata kanë luajtur gjatë vitit të fundit dhe minutat e zhvilluara në ndeshje zyrtare.

Ashtu si në vitin e kaluar, Benfica kryeson listën, duke konfirmuar reputacionin e saj si një nga akademitë më të suksesshme në futbollin botëror. Klubi portugez ka 93 lojtarë të formuar që luajnë aktualisht në kampionatet e analizuara, me një nivel mesatar klubesh 0.81 dhe 2.582 minuta të luajtura për lojtar në ndeshje zyrtare gjatë vitit të fundit.

Në vendin e dytë renditet Barcelona, me 76 futbollistë të formuar, një nivel mesatar klubesh prej 0.87 dhe 2.773 minuta të zhvilluara, ndërsa River Plate i Argjentinës plotëson podiumin me 97 lojtarë aktivë, një nivel mesatar prej 0.81 dhe 2.305 minuta. Dhjetëshja më e mirë sipas CIES përfshin gjithashtu emra të mëdhenj të futbollit botëror:
  • Benfica (Portugali) – 93 lojtarë, 2.582 min, indeks 0.807
  • Barcelona (Spanjë) – 76 lojtarë, 2.773 min, indeks 0.805
  • River Plate (Argjentinë) – 97 lojtarë, 2.305 min, indeks 0.805
  • Ajax (Holandë) – 80 lojtarë, 2.690 min, indeks 0.841
  • Boca Juniors (Argjentinë) – 86 lojtarë, 2.516 min, indeks 0.808
  • Sporting CP (Portugali) – 76 lojtarë, 2.488 min, indeks 0.811
  • Dinamo Zagreb (Kroaci) – 77 lojtarë, 2.532 min, indeks 0.732
  • Defensor SC (Uruguai) – 88 lojtarë, 2.222 min, indeks 0.726
  • Real Madrid (Spanjë) – 58 lojtarë, 2.817 min, indeks 0.853
  • Vélez Sarsfield (Argjentinë) – 70 lojtarë, 2.406 min, indeks 0.805

Renditja tregon edhe një herë dominimin e klubeve evropiane dhe amerikano-jugore në zhvillimin e talenteve të rinj. Portugalia spikat me dy akademi në “Top 10” (Benfica dhe Sporting CP), ndërsa Spanja dhe Argjentina kanë nga dy përfaqësuese secila.

Raporti i CIES nënvizon rolin gjithnjë e më të madh të investimeve në strukturat e të rinjve dhe të filozofisë së formimit afatgjatë, faktorë që vazhdojnë të prodhojnë gjenerata të reja futbollistësh që shkëlqejnë në skenën ndërkombëtare.

sfidanti.al