Barcelona, Raphina gati për El Clasicon

Në kampin e Barcelonës, gjithë vëmendja është tashmë e përqendruar tek ‘El Clásico’ i La Liga-s që do të luhet të dielën e ardhshme, në ‘Santiago Bernabéu’, me fillim në orën 16:15. Pas fitores mbresëlënëse kundër Olympiacosit në “Estadi Olímpic Lluís Companys”, katalanasit zhvilluan mëngjesin e sotëm një seancë stërvitore të lehtë në Ciutat Esportiva Joan Gamper.

Lojtarët që ishin titullarë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kryen punë rikuperimi, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës nisi përgatitjet për përballjen vendimtare ndaj Real Madridit, një sfidë që mund të ketë peshë të madhe në garën për kreun e La Ligas.

Trajneri Hansi Flick mori lajme pozitive nga infermieria: Raphinha dhe Ferran Torres janë rikthyer në stërvitje me grupin pas problemeve fizike që i kishin mbajtur jashtë fushave. Ndërkohë, Andreas Christensen mbetet e vetmja mungesë, për shkak të një shqetësimi gastrointestinal që e pengoi të luante ndaj skuadrës greke. Atmosfera në ‘Sant Joan Despí’ është e mbushur me përqendrim dhe besim. Barcelona po kalon një moment pozitiv dhe synon ta vazhdojë serinë e fitoreve edhe në kampionat. ‘El Clásico’ i së dielës pritet të jetë një përballje spektakolare, plot intensitet, emocione dhe futboll të nivelit më të lartë, ku Barça do të kërkojë të konfirmojë formën e mirë përballë një Real Madridi në shkëlqim të plotë.

sfidanti.al