Nata hapëse e sezonit të ri NBA 2025–2026 solli spektakël dhe emocione të veçanta, me dy rikthime të rëndësishme. I pari, në parket, ishte ai i Shai Gilgeous-Alexander, i cili udhëhoqi Oklahoma City Thunder drejt fitores së parë ndaj Houston Rockets me 35 pikë të shënuara. I dyti, më i papritur, ishte rikthimi i Michael Jordan-it në “familjen e madhe të NBA-së”, këtë herë në një rol krejt tjetër.
Gjashtë herë kampioni me Chicago Bulls është ribashkuar me botën e basketbollit si bashkëpunëtor televiziv i NBC-së, rrjet që pas më shumë se 20 vitesh ka rifituar të drejtat për transmetimin e ndeshjeve të ligës më të madhe të basketbollit në botë. Programi i ri që do të mbajë emrin “MJ: Insights to Excellence” do ta ketë Jordan-in si narrator dhe analist, duke e shoqëruar publikun me rrëfime nga e kaluara e tij legjendare dhe ngjarjet aktuale të NBA-së.
“Do të doja të merrja një pilulë magjike, të vishesha me pantallonat e shkurtra dhe të dilja të luaja basketboll,” – tha Jordan me buzëqeshje. “Ky lloj rivaliteti është ajo për të cilën kam jetuar gjithmonë dhe më mungon shumë. Do të më pëlqente të sfidoja lojtarët e mëdhenj të sotëm, por më mirë është t’i shoh nga kjo perspektivë. Nuk dua të këpus tendinën e Akilit dhe të përfundoj në karrocë për ndonjë kohë të gjatë.” Legjenda e Bulls-ave u shpreh gjithashtu për vitet e fundit të jetës së tij pas karrierës aktive:
“Kur je në kulmin e karrierës, nuk e kupton sa pak kohë i kushton familjes. Tani më në fund mund ta bëj këtë. Pasuria më e madhe që kam sot është koha.”
Sfidanti.al