Kombëtarja shqiptare ka përmirësuar ndjeshëm shanset e saj për të shkuar në play-off të Botërorit falë fitores ndaj Serbisë këtë të shtunë në Leskovac. E ndonëse ka ende rrugë për të shkuar në play-off, në varësi të ndeshjeve të mbetura, është normale që tani të shihen përllogaritjet se si ky udhëtim mund të jetë më i favorshëm për kuqezinjtë.
Përllogaritje të cilat aktualisht e kanë kthyer Shqipërinë në një “tifoze” të Belgjikës kundër Maqedonisë së Veriut, duke shpresuar që dy skuadrat të ndryshojnë vendet që mbajnë aktualisht në Grupin J. Maqedonasit, me 6 ndeshje të luajtura, kanë 12 pikë dhe mbajnë vendin e parë, të ndjekur nga belgët me 11 pikë pas 5 ndeshjesh dhe më pas uellsianët me 10 të tilla po me 5 ndeshje.
Shqipëria, e cila në situatën aktuale sipas renditjes së FIFA-s e sheh veten e para në vazon e tretë në shortin e play-off, do të ishte më e favorizuar në rrugëtimin e saj nëse Maqedonia e Veriut do të renditej e dyta dhe Belgjika e para në këtë grup duke shkuar direkt në Botëror. Kjo, pasi në këtë mënyrë, do të kishte lëvizje në radhitjet në vazo dhe kuqezinjtë do të ngjiteshin në vazon e dytë. Avantazhi i vazos së dytë është se ekipet e saj janë pritëse në gjysmëfinalet e play-off që luajnë në mars 2026 përballë skuadrave nga vazo e tretë. Dhe padyshim zhvillimi i ndeshjes ndaj një ekipi të vazos së tretë në “Air Albania” do të ishte një ndihmesë e jashtëzakonshme në rrugëtimin drejt objektivit historik të kualifikimit në Botëror.
sfidanti.al