Vendimi drastik, trajneri i Serbisë jep dorëheqjen

Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i kombëtares menjëherë pas humbjes ndaj Shqipërisë në ndeshjen e zhvilluar në Leskovac.

Vendimi i tij erdhi vetëm pak orë pas përfundimit të sfidës, që përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të kuqezinjve.

Në konferencën për shtyp, Stojkoviç konfirmoi se kishte zhvilluar një bisedë me presidentin e Federatës Serbe të Futbollit dhe sekretarin e përgjithshëm, ku kishte paraqitur dorëheqjen e tij. Ai theksoi se humbja ndaj Shqipërisë ishte e papritur dhe se ndiente përgjegjësi të plotë për rezultatin.

“Kisha në bisedë me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm. Kam paraqitur dorëheqjen. Nuk e prisja humbjen ndaj rivalit direkt. Marr përgjegjësinë dhe jam unë fajtori i vetëm. Më vjen keq që humbëm ndeshjen, por futbolli kështu është”, tha Stojkoviç.

Stojkoviç, i cili drejtoi Serbinë që nga viti 2021, arriti ta çonte ekipin në Botërorin e Katarit, por rezultatet e fundit në grup kanë qenë nën pritshmëri. Federata Serbe pritet të marrë një vendim të shpejtë për emrin e trajnerit të ri, me synimin për të rikthyer stabilitetin në skuadër për sfidat e mbetura të kualifikueseve.

Në anën tjetër, fitorja e Shqipërisë ka sjellë ndryshime të mëdha në renditjen e grupit, duke e vështirësuar pozitën e Serbisë në garën për kualifikim.

sfidanti.al