“Perëndia” tradhëton “Skënderbeun”, Salihi gris “futbollin prej letre”

Sipas legjendës që tregohej në futbollin e Superligës, besohej se ekipi i Skënderbeut mund të meritonte edhe një titull tjetër, disi të padukshëm, atë të bindjes ndaj “perëndisë së futbollit”. Askush me mend në kokë nuk vinte edhe një qindarkë bast se do të jetonim  një ditë të tradhëtisë së modës së lartë, kur futbollistët pa gojë në këto vite, do të shpërthenin në mënyrë kampione. Salihi, djaloshi që ka folur vetëm me gola, as nuk njihej atë ditë pas ndeshjes me Kukësin, sidomos kur arriti kulmin duke grisur kartonin e kuq të Jorgjit. Një gjest që akoma përflitet në kuptime të ndryshme, ku disa thonë se ishte një rebelim i skajshëm, plotësisht i dënueshëm, ndërsa pala oportuniste beson verbërisht se grisja e kartonit ishte simbolikë, pasi në të vërtetë ai grisi “futbollin prej letre” që piloton presidenti Duka në tërë këto vite. Fati bëhet tepër i djallëzuar kur kujton se “zoti i lojës së madhe” në prapaskenë i tradhëtonte të gjithë, me zell dhe me talent të pashtershëm, duke dhënë prova besimi për një dashuri të përjetshme vetëm me ta…

Nuk ka formulë në futbollin pa kujtesë dhe pa mirënjohje, ndaj të duket si punë e ndershme që të harrosh të kaluarën dhe të mallkosh fatin kur ndryshon rrënjësisht. Ku kishte parë dhe dëgjuar kampionia Skënderbeu, kur në ditën më jetike të garës, do të skuqeshin nga kartonat dhe do të braktiseshin nga “perënditë” në mënyrën më spektakolare. Ata e dinë fort mirë se “apokalipsi i titullit”  nuk ndodhi për faj të një ushtari të perandorisë, që mban emrin Enea Jorgji. Një djalosh elegant, i bekuar nga shefi si specie e rrallë për nivelin e ndershmërisë, ndërkohë, nuk duhet të harrojmë se protagonizmi i tij  e zbulonte një hije:  tepër i bindur dhe i përulur ndaj eproreve dhe “dashurive” të tyre. Ndaj, kur dëgjojmë presidentin Takaj të bëjë deklaratën më të bujshme dhe disi tragji-komike  se “ më vjen turp që të jem pjesë e këtij futbolli”, kuptohet,si në mes të ditës me diell.. se fatet që bilbilohen në fushë me arbitër, janë luajtur..jo me brekë, por me kollare e kostume në zyra.. Dhe për këtë leksion Skënderbeu nuk harxhon aspak kohë, sepse e dinte që një ditë do të mbërrinte akti i tradhëtisë, kaq i shumëpritur në lojën tonë, i cili ta shpon keqazi zemrën kur provon vetë  rolin e viktimës. Është  punë dreqi se  ata janë të pamësuar me këtë rol, ngaqë tërë këto vite rolin e viktimës e qanin me lot të tjerët…

Sfidanti.al