Partizani, një vend i dytë vetëm për moral pas Korabit!

Nuk kishte ndeshje më të dhimbshme për futbollistët e Partizanit sesa kjo ndaj Korabit këtë të diel. Suksesi 3-0 nuk vlejti për asgjë përveçse për të shtuar 3 pikë në renditje dhe për të mbërritur një vend të dytë që është me shumë pak vlerë për një skuadër që deri pak ditë më parë ishte favorite për të dalë kampione e vendit. Shpresat e fundit për suksesin që mungon prej 24 vitesh u shuan kur Skënderbeu nuk arriti dot të fitonte në Kukës.

Cetkoviç, Ekuban dhe Krasniqi ishin autorët e golave në “Selman Stërmasi”, dy në pjesën e parë dhe një tjetër pas pushimit. Skuadra e trajnerit Sulejman Starova ka tani 71 pikë, po aq sa Skënderbeu, dhe 4 më pak se Kukësi. Të kuqtë janë mbi korçarët për shkak të ndeshjeve direkte, pasi kanë fituar dy dhe kanë barazuar një. Po ashtu, kryeqytetasit kanë edhe golaverazh më të mirë (44-15 ndaj 43-20). Gjithsesi, për titullin do të duhet të presin edhe një vit, me shpresën për ta fituar më në fund në 2018.

Sfidanti.al