“Lamtumira e një zotërie”, Filip Lahm nesër e mbyll me futbollin

Si mundet që një bavarez nga Mynihu të ketë luajtur 15 ndeshje me kombëtaren e Gjermanisë, përpara sesa të luajë të parën me Bajernin? Mund të duket një situatë e pandodhshme, dhe sidomos e çuditshme kur mendon se kjo i ka ngjarë një legjende si Filip Lahm. Kapiteni bavarez i jep fund nesër karrierës, por biografistët e tij mbeten gjithnjë gojëhapur për mënyrën sesi gjithçka filloi.

Lahm, i destinuar për Bajernin, gjeti dy francezë të shkëlqyer në rrugën e tij si mbrojtës i majtë në skuadrën më të mirë të Gjermanisë. Biksent Lizarazu dhe Vili Sanjol ishin “fajtorët” që ai fillimisht luajti në kategorinë e tretë dhe pastaj Feliks Magat e mori tek Shtutgarti. Vetëm në nëntor 2005, Lahm debutoi për Bajernin dhe Lizarazu në atë kohë doli në pension. Sot në moshën 33-vjeçare, ai ka vendosur të largohet ende në kulm të karrierës.

Bajerni pret Frajburgun nesër në orën 15:30, në “Alianc Arena”, pra është skena perfekte për lamtumirën e zotërisë së fundit që ka veshur fanelën e kuqe. Ish-kapiteni i Gjermanisë, dhe ende kapiteni i Bajernit, ka fituar 8 tituj kampion në Bundesligë, 6 Kupa gjermane, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Europës, Kupën e Botës për klubet si dhe Kupën e Botës me Gjermaninë. Të paktë janë ata që kanë fituar më shumë.

Sfidanti.al