Vinicius drejt largimit? Ndalen bisedimet për rinovim

Situata te Real Madrid mbetet dinamike edhe gjatë kësaj vere, me shumë tema që tërheqin vëmendje. Nga roli i trajnerit të ri, XabiAlonso, te organizimi i skuadrës dhe përgatitjet për sezonin e ri, klubi madrilen është në moment deciziv. Ndër temat më të diskutueshme është edhe çështja e Vinicius Junior.

Sulmuesi brazilian, i cili ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2027, është në dyshim për të ardhmen. Sipas raportimeve të “Kadena SER”, Vinicius dhe përfaqësuesit e tij kanë refuzuar ofertën e fundit të klubit për rinovim, duke kërkuar një pagë që do ta bënte lojtarin më të paguar në skuadër. Kërkesa konkrete është një pagesë vjetore neto prej më shumë se 25 milionë eurosh, me 30 milionë të mundshme në total përfshirë bonuset, në përpjekje për ta vendosur në të njëjtin nivel me Kylian Mbappé.

Klubi madrilen, nga ana tjetër, nuk është i gatshëm të përmbushë këto kushte financiare. Florentino Pérez dhe drejtuesit e Real Madridit janë të kujdesshëm për të mos prishur strukturën e rrogave brenda skuadrës, duke e konsideruar të papërshtatshme një rritje të tillë për Vinicius, pavarësisht rëndësisë së tij në projektin sportiv.

Lojtari dhe përfaqësuesit e tij nuk e kanë dhënë asnjëherë miratimin për ofertën që ka qarkulluar në media, e cila fliste për një pagesë prej 20 milionë eurosh në vit plus bonuse. Ata e kanë konsideruar të pamjaftueshme dhe nuk e kanë pranuar si bazë për rinovim. Për momentin, palët kanë vendosur të mos vazhdojnë me bisedimet, duke e lënë çështjen të hapur për një rishikim të mëvonshëm.

Pavarësisht kësaj situate, lojtari është i fokusuar në përgatitjet për sezonin e ri. Ai synon që përmes paraqitjeve në fushë të tregojë vlerën e tij dhe të justifikojë kërkesën për një rrogë më të lartë. Klubi nga ana tjetër, nuk e ka përjashtuar mundësinë e rinovimit, por gjithashtu nuk përjashton as skenarin e një largimi nëse kërkesat e lojtarit mbeten të pandryshuara.

Për momentin, Real Madrid është në pritje të zhvillimeve, ndërsa prioritet i menjëhershëm mbetet fillimi i sezonit dhe objektivat sportive. Çështja e kontratës së Vinicius do të mbetet një dosje e hapur, që mund të zgjidhet në muajt në vijim, në varësi të zhvillimeve në fushë dhe prapaskenë.

sfidanti.al