Me golin dhe asistencën që kontribuoi në fitoren e Mançester Sitit ndaj WBA-së, Gabriel Zhesusi arriti një mesatare fantastike prej një goli ose një asistence për gol në çdo 62 minuta, duke u bërë, kështu, me të vërtetë, sulmuesi më i rrezikshëm në Premier Ligën angleze. Ky lojtar brazilian me fytyrë fëmije u është përshtatur, në një mënyrë të pazakontë të shpejtë, futbollit dhe jetës në Angli, ndërsa ai erdhi në këtë vend, si një djalosh 19-vjeçar, vetëm para katër muajsh, nga Brazili, madje, në një kohë, kur ManSiti ndodhej në krizë. Kështu, vetëm mbas gjysmë sezoni në Ishull, duket se Ronaldinjo nuk e ka tepruar, kur e shpalli, para ca kohësh, Zhesusin si trashëgimtarin e tij legjitim!
Zhesusi erdhi në “Etihad” në një kohë të papërshtatshme, në fund të janarit, kur Guardiola kishte humbur dy nga tri ndeshjet e fundit dhe Aguero ndodhej në një krizë golash, ndërsa De Bryjni dhe Sterlingu ishin jashtë formës. Dhe, pikërisht, në këtë moment, vjen djaloshi i ri, Gabriel Zhesus, për të cilin, qysh vitin e kaluar, Palmeirasit brazilian i ishin paguar 33 milionë euro, ndërkohë që ai nuk kishte shumë kohë në dispozicion që të përshtatej dhe të njihte një kulturë, krejt të ndryshme nga ajo e vendit të tij. Guardiola e futi atë, menjëherë, në lojë, pasi jo vetëm që nuk kishtë shumë zgjedhje, por edhe se ndodhej në një gjendje të dëshpëruar. Kështu, “u hodh në zjarr” Zhesusi që jo vetëm nuk u dogj, por doli nga ai, duke shpërthyer në një mënyrë spektakolare.
Sfidanti.al