Kallaku mes Teutës dhe Vllaznisë

Pavarësisht se fokusi total i Vllaznisë në këto momente është kualifikimi në raundin e tretë të Conference League, te shkodranët nuk duket se harrojnë edhe merkaton. Me kampionatin që po afrohet nga dita në ditë, kuqeblutë kërkojnë të kompletojnë totalisht skuadrën para nisjes së edicionit 2025-26 të Superiores. Repartet ku po synohen përforcimet, më së shumti janë ato të mesfushës dhe sulmit, ku 9 herë kampionët e vendit kanë ende boshllëqe. Për repartin e mesfushës, “fiksimi” vijon të ngelet Sherif Kallaku, me fushëkrujasin që është një dëshirë personale e trajnerit Martini. Sipas asaj çfarë mëson gazeta, klubi, por edhe vetë Martini, kanë pasur sërish kontakt me Kallakun në ditët e fundit, në mënyrë që ta bindin 27-vjeçarin për një rikthim në Superiore dhe konkretisht te Vllaznia. Nga çfarë bëhet me dije, ish-futbollisti i Teutës nuk ka kthyer një përgjigje negative, duke lënë të hapur një “derë” për kuqeblutë.

Megjithatë, Kallaku duket se në “dorë” ka edhe një ofertë nga Greqia, që duket se momentalisht e tundon. Prandaj për momentin ka hezituar të japë një verdikt konkret për të ardhmen e tij. Gjithashtu edhe Teuta, në Superligën tonë ka “ngacmuar” Kallakun, për një rikthim të tij të mundshëm në Durrës. Por dëshira e Kallakut për në Shqipëri duket se është vetëm Vllaznia, kjo për faktin se drejtohet nga trajneri Martini.

Dhe të dy kanë pasur një bashkëpunim të suksesshëm në periudhën që kanë qenë pjesë e Teutës. Në ditët e ardhshme pritet të kuptohet më shumë rreth së ardhmes së fantazistit, i cili sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Sepsi në Rumani, skuadër me të cilën u aktivizua 28 ndeshje në kampionat duke dhuruar edhe 1 asist. Por duket se e ardhmja e ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare është larg ekipit bardhekuq.

sfidanti.al