Lufta mes FIFPro, sindikatës botërore të futbollistëve, dhe FIFA-s, me Gianni Infantinon në krye, duket se nuk ka fund. Pas një akuze publike nga ana e FIFPro, ku u shpreh shqetësimi për “mënyrën se si FIFA po menaxhon futbollin në nivel global”, dhe ku presidenti i FIFA-s u cilësua “autokrat”, organizata që drejton futbollin botëror reagoi me ashpërsi ndaj presidentit të FIFPro, Sergio Marchi.
FIFA u shpreh se ishte “thellësisht e zhgënjyer nga toni gjithnjë e më përçarës dhe kontradiktor i udhëheqjes së FIFPro”. FIFA akuzoi Marchi për egocentrizëm: “Përkundër pritshmërive që këto vendime pa precedent të mirëpriteshin si përfitime për futbollistët anembanë botës, FIFPro ka reaguar me sulme personale dhe mungesë respekti. Kjo tregon se drejtuesit e saj nuk janë të shqetësuar realisht për lojtarët, por për luftëra politike të brendshme dhe imazhin e tyre publik”.
Tani, presidenti i FIFPro, argjentinasi Sergio Marchi, ka dalë hapur për t’u mbrojtur dhe për ta kundërsulmuar me forcë FIFA-n. Në një letër të hapur me titull “Kur egoja nuk na lejon të shohim”, ai i përgjigjet FIFA-s me qartësi dhe përgjegjësi:
Në kundërshtim me atë që ka nënkuptuar FIFA, FIFPro nuk shantazhon. FIFPro kërkon. Dhe e bën këtë në mbrojtje të të drejtave të punës, shoqërore dhe njerëzore të futbollistëve. Çdo kërkesë që kemi paraqitur ka pasur një qëllim të vetëm: të mbrojë protagonistin e vërtetë të lojës”.
Në letër, Sergio Marchi përmend edhe një herë kërkesat e përsëritura, që i janë bërë FIFA-s dhe që, sipas tij, presidenti Infantino i ka injoruar:
- Mospërfillja e afateve minimale të kontratave të futbollistëve.
- Mungesa e një qeverisjeje vërtet demokratike brenda FIFA-s.
- Mospagesat e përhapura të pagave në shumë liga të botës.
- Mungesa e sigurimeve mjekësore të përshtatshme në shumë vende.
- Mungesa e sistemeve të mbrojtjes sociale për futbollistët.
- Ngarkesa e tepruar e kalendarit garues pa pushime të mjaftueshme fizike apo mendore.
- Zhvillimi i ndeshjeve zyrtare në kushte ekstreme klimatike, madje edhe me temperatura mbi 40°C.
Këto janë, sipas FIFPro, probleme që FIFA nuk i adreson aspak. Në fund të letrës, Marchi citon një enciklikë të Papa Françeskut për të kritikuar filozofinë aktuale të FIFA-s: “Sot gjithçka blihet e shitet, duket se ndjenja e dinjitetit varet nga gjërat që mund të blihen me para.
Jemi robër të një sistemi që degradohet vetë, ku e vetmja nxitje është të grumbullojmë, të konsumojmë dhe të shpërqendrohemi, pa mundur të shohim përtej nevojave tona të menjëhershme dhe egoiste…”
Letra përfundon me një thirrje të qartë: “Futbolli ka nevojë për më pak arrogancë dhe më shumë dëgjim. Më pak njoftime dhe më shumë respekt. Më pak errësirë dhe më shumë të vërteta…”
sfidanti.al