Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, doli në konferencë për shtypin para ndeshjes miqësore të së enjtes kundër FC Seoul në Korenë e Jugut. Gjermani foli për talentët e rinj të ekipit, ndër ta Lamine Yamal dhe Pedro Fernández, si dhe për blerjen e re, Marcus Rashford. Ai gjithashtu u ndal te çështja e shiritit të kapitenit, mes zërave se Marc-André ter Stegen mund ta humbasë atë. “Jam shumë i lumtur, u pritëm ngrohtësisht këtu në Korenë e Jugut. Është shumë nxehtë, por lojtarët janë të fokusuar në punën e tyre dhe kjo është ajo që duam të shohim. Ka shumë thashetheme, por nuk kam asnjë tregues që më bën të mendoj se Ronald Araújo do të largohet. Kemi një skuadër shumë të plotë, me dy lojtarë për çdo pozicion dhe në disa raste edhe tre. Nuk është e lehtë të menaxhohet, por është pozitive sepse sezoni do të jetë i gjatë,” u shpreh Flick. Tekniku gjerman foli edhe për objektivat e klubit:
“Barcelona dhe klubet e këtij niveli duan trofe. Duhet të fitojmë sa më shumë ndeshje që të jetë e mundur, por na pret një sezon i vështirë. Lamine Yamal është i jashtëzakonshëm, ka talent të veçantë dhe mund të vendosë ndeshjet. Jam i lumtur që e kam në ekip dhe nesër ai do të luajë. Rashford është një lojtar fantastik që e kam ndjekur prej vitesh që nga fillimet te Manchester United. Ka shumë cilësi dhe shpresojmë t’i tregojë këtë sezon me ne.”
Flick vlerësoi gjithashtu mesfushorin e ri Pedro Fernández, autor i një goli në fitoren 3-1 ndaj Vissel Kobe: “Pedro Fernández u stërvit me ne në fund të sezonit të kaluar dhe për këtë arsye është tani këtu. Është një talent i shkëlqyer që ende duhet të zhvillohet. La Masia ka bërë sërish një punë fantastike. Jam mirënjohës që kam kaq shumë lojtarë dhe kaq shumë cilësi në mesfushë.”
Në fund, ai sqaroi çështjen e kapitenit: “Sa i përket shiritit të kapitenit, skuadra do të vendosë, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën. Do ta shohim, lojtarët do të vendosin, dhe kjo do të ndodhë në javën e fundit para fillimit të sezonit.”
sfidanti.al