Drama e Partizanit, eleminohet në shtesë

Partizani është eliminuar në mënyrë dramatike nga Conference League nga estonezët e Nome Kalju. Të kuqtë zhvilluan një ndeshje me shumë raste, por pa efikasitet dhe u ndëshkuan në minutat shtesë me një gol që i dha fund ëndrrës europiane.

Sfida në “Arenën Albania” nisi me dominim të Partizanit, që krijoi disa mundësi shënimi që në minutat e para me Isgandarlin, Skukën dhe Bytyçin. Megjithatë, fati nuk ishte në anën e tyre. Momentet kyçe erdhën në pjesën e dytë, ku në minutën e 77-të, Partizani fitoi një penallti pas rrëzimit të Skukës në zonë, por sulmuesi gaboi nga pika e bardhë.

Pas barazimit pa gola në kohën e rregullt, sfida shkoi në shtesa, pasi ndeshja e parë ishte mbyllur në barazim 1-1. Në minutën e 104-t, pas një aksioni të rrjedhshëm, Ivanov i miqve shënoi golin e vetëm të takimit, duke kaluar Kaljun në avantazh 1-0.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të Partizanit për të barazuar, mungesa e qetësisë në finalizim dhe një mbrojtje e organizuar e estonezëve e bënë të pamundur rikthimin.

Kështu, Partizani largohet që në turin e parë nga Europa, pas një ndeshjeje ku humbi shumë dhe në fund u ndëshkua rëndë.