Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e çiklizmit: Samuele Privitera, çiklist 19-vjeçar nga Imperia, ka ndërruar jetë mbrëmjen e së mërkurës në spitalin “Parini” të Aostës, pasi pësoi një aksident të rëndë gjatë etapës së parë të edicionit të 61-të të “Giro Ciclistico della Valle d’Aosta – Mont Blanc”, një garë për moshat nën 23 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, i riu mund të ketë humbur kontrollin pas përplasjes me një gungë në rrugë, duke u rrëzuar me forcë në zbritje. Fatkeqësisht, gjatë rënies i ka rwnw helmeta mbrojtëse dhe ka goditur rëndë kokën në një portë metalike, duke pësuar traumë të rëndë në kafkë. Ai u dërgua menjëherë në reanimacion, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Prindërit e tij udhëtuan drejt Aostës menjëherë pas ngjarjes tragjike.
Organizatorët deklaruan:
“Dinamika e aksidentit është ende nën hetim dhe po shqyrtohet nga autoritetet e sigurisë publike. Për shkak të kësaj tragjedie, komiteti organizator ka vendosur të anulojë etapën e dytë të planifikuar për të enjten, më 17 korrik, në Passy. Gara do të rifillojë të premten, më 18 korrik, me etapën e tretë Pré Saint Didier – Colle del Gran San Bernardo, e cila do të nisë me një moment përkujtimi dhe pjesa e parë e saj do të zhvillohet e neutralizuar në nder të Samuele Privitera-s.” Të gjitha ceremonitë zyrtare janë anuluar deri në fund të kompeticionit, ndërsa skuadrat janë të lira të vendosin nëse do të vazhdojnë garën nga etapa e tretë.
sfidanti.al