Mateo Retegui largohet nga Seria A dhe bëhet lojtari më i ri i klubit saudit Al Qadsiah, në një marrëveshje që kap vlerën e 65 milionë eurove, përfshirë edhe bonuset. Sulmuesi i kombëtares italiane dhe Atalantës ka përfunduar me sukses vizitat mjekësore dhe tashmë mungon vetëm njoftimi zyrtar nga klubi. Retegui do të firmosë një kontratë katërvjeçare, me një pagë marramendëse rreth 20 milionë euro në sezon, që e bën atë një nga lojtarët më të paguar në futbollin saudit. Fillimisht, oferta e Al Qadsiah ishte pak mbi 50 milionë euro, por insistimi i tyre dhe dëshira e lojtarit e detyruan Atalantën të pranojë shifrën finale prej 65 milionësh. Kjo lëvizje përbën një fitim të jashtëzakonshëm për klubin bergamask, që e bleu Reteguin vetëm pak muaj më parë për 22 milionë euro plus 3 milionë bonuse. Pas shpalljes si golashënuesi më i mirë i Serisë A sezonin e kaluar, Retegui lë Italinë dhe niset drejt një aventure të re, duke u bërë goditja më e madhe e merkatos së verës në futbollin arab.
Sfidanti.al