Pa Leonardin San Antonio nuk ka shpresë, fiton Golden Stejti

Golden Stejti përfitoi maksimalisht nga mungesa e yllit kryesor rival, Leonard, duke mundur thellë San Antonion, dhe duke marrë kryesimin 2-0 në finalen e Konferencës Perëndimore në NBA. Skuadra më e mirë e sezonit të rregullt triumfoi me shifrat 136-100, pas një dominimi absolut, dhe duke mos lodhur aq shumë yjet kryesorë.

Stefën Kërri ishte më i miri në fushë me 29 pikë, 7 topa në tabela, 7 asistë dhe 3 vjedhje topi, edhe pse nuk luajti më shumë se 3 perioda. Kevin Durant u mbajt i freskët për ndeshjet e tjera, por gjithsesi pati kohë të shënonte 16 pikë, ndërsa Drejmond Grin ishte si gjithnjë i rëndësishëm. Ai shënoi 13 pikë, kapi 9 topa në tabela, dha 6 asiste, vodhi dy topa dhe bëri dy bllokime gjuajtjesh.

I vetmi lojtar që vërtet luajti mirë për San Antonion ishte Xhonatan Sajmons, me 22 pikë. Trajneri Popoviç kishte dy mungesa të rëndësishme, Leonard dhe Parker, ndaj e dinte se do të ishte shumë e vështirë. Ai u zhgënjye nga Olldrixh që shënoi vetëm 8 pikë, ndërsa Gasol pati vetëm 7 pikë, por 8 topa në tabela.

Golden Stejti ka 10 fitore radhazi këtë sezon në plej of duke qenë, logjikisht, pretendenti kryesor për titull, ndërsa në këtë ndeshje vendosi një rekord të ri të klubit në plej of me 39 asiste.

Sfidanti.al