Skënderbeu fiton me penallti ndaj Tiranës, Partizani ngec në Vlorë!

Skënderbeu pati nevojë për një penallti në minutat e fundit që të fitonte një përballje shumë të fortë ndaj Tiranës, në stadiumin e Korçës. Ishte Hamdi Salihi që fitoi penalltinë dhe që e ktheu atë në gol, në minutën e 84-ët, duke bërë që kampionët të jenë vetëm 1 pikë larg Kukësit që kryeson Superligën.

Korçarët patën më shumë raste për shënim, duke goditur dy herë shtyllën e portës tiranase, por edhe miqtë rrezikuan jo pak. Pas kësaj ndeshjeje, Skënderbeu ka 71 pikë, ndaj 72 të Kukësit, ndërsa javën që vjen luhet përballja direkte mes tyre, pikërisht në Kukës.

Tirana, ndërkaq, ka zbritur në vendin e parafundit, duke qenë kandidatja numër 1 për të zbritur në Kategorinë e Parë. Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Partizani mundi vetëm të barazonte 1-1 në Vlorë, duke iu shkëputur edhe më shumë kreut. Kryeqytetasit kanë 68 pikë, pra 4 pikë më pak se vendi i parë.

Partizani pretendoi për një penallti ndaj Ekubanit në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1-1, por gjyqtari nuk e akordoi. Të kuqtë kaluan në epërsi pikërisht me anë të sulmuesit Ekuban në pjesën e parë, por kapiteni i vlonjatëve, Bruno Telushi barazoi pas pushimit me penallti.

Sfidanti.al