Kosova përgatitet për Komoret

Në prag të përballjes miqësore ndaj Komoreve, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, u shfaq para medieve të dielën me tone të kujdesshme dhe pa shumë detaje për formacionin.

Ndeshja zhvillohet të hënën, nga ora 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, dhe do të shënojë testin e fundit për “Dardanët” përpara nisjes së fushatës kualifikuese për Kupën e Botës.

I pyetur nëse dy emra të përfolur – Visar Bekaj dhe Meriton Korenica – do të kenë hapësirë në këtë sfidë, trajneri gjerman zgjodhi t’i qëndrojë diskret: “Sot kemi stërvitjen përmbyllëse dhe aty do të vendosim. Do shohim cilët lojtarë janë gati dhe do të marrim një vendim për formacionin,” – deklaroi ai.

Megjithatë, Foda sqaroi se kjo nuk do të jetë një ndeshje për eksperimentime të mëdha:

“Nuk do të eksperimentojmë shumë. Është testi i fundit përpara ndeshjeve zyrtare. Duhet të ruajmë ekuilibrin mes provës dhe seriozitetit.”

Pas fitores bindëse 5-2 ndaj Armenisë, atmosfera në kampin e Kosovës duket pozitive. Por Foda e di mirë që rezultatet në miqësore janë një gjë, ndërsa fushatat kualifikuese janë një tjetër botë.

Përballja ndaj Komoreve, megjithëse miqësore, do të shërbejë si një pasqyrë e fundit për të parë kush mund të mbajë peshën e fanellës në sfidat e vërteta që vijnë. Dhe siç la të kuptohet Foda vendimet nuk merren në sallën e konferencave, por në fushë, në stërvitjen e fundit.

sfidanti.al