Mbappé: Topi i Artë? Do të zgjidhja mes Dembele dhe Yamal

Kylian Mbappé ka dalë sot përpara medieve si kapiten i kombëtares franceze, në prag të supersfidës ndaj Gjermanisë. Sulmuesi i Real Madridit ishte pa dyshim figura më e pritur, pasi nuk kishte folur më parë as për titullin e Champions-it të fituar nga PSG pas largimit të tij, e as për ardhjen e Xabi Alonso-s te “Los Blancos”.

Mbappé vazhdon të shkruajë historinë me Francën, me asistin ndaj Spanjës, ai ka shkuar në 31 pasime vendimtare, duke kaluar Antoine Griezmann si asistuesi më i mirë në historinë e “Les Bleus”. Në të njëjtën kohë, ndodhet vetëm një gol larg 50 golave me Francën, dhe po afrohet gjithnjë e më shumë me rekordet e Henry (51) dhe Giroud (57).

I pyetur për garën e Topit të Artë, Mbappé ishte i qartë:

“Do të votoja për Dembélé. Është e thjeshtë. Kur flitet për Dembélé dhe Lamine Yamal, unë jam me shokun tim të ekipit.” Megjithatë, ai paralajmëroi se gjithçka mund të ndryshojë deri në fund të sezonit.

Për finalen e PSG-së në Champions, Mbappé rrëfeu me buzëqeshje:

“Isha në Marok me miqtë, po e shihnim në një ekran të madh. PSG e meritoi fitoren, ka vuajtur shumë për ta arritur. Nuk më prek që e fituan pa mua. Përkundrazi, jam i lumtur për ta.”

Ai hodhi poshtë kritikat për një sezon të dobët me Realin:

“Disa thonë se ishte sezon pa tituj, por kemi fituar dy. Fjalët kanë peshë. Kam pasur sfida dhe presione, por e dua këtë rol. Tani është koha për të punuar.”

Në lidhje me rolin e tij te Reali dhe Franca, tha:

“Të jesh ‘numri 9’ te Reali nuk është njësoj si te Franca. Po adaptohem, por ndihem mirë në qendër të sulmit.”

Mbappé përfundoi duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një skuadre të re franceze me shumë talent dhe synimin e madh: Kupa e Botës.

 

sfidanti.al