Vitin e kaluar Robert Levandovski u bë i pari futbollist i huaj që shënoi 30 gola në Bundesligën gjermane. Polaku i Bajernit kaloi me 1 rrjetë maksimumin e arritur nga të huajt, shifrën 29 të holandezit të Shalkes, Klas-Jan Huntelar, por këtë sezon duket se ai do të bëjë më shumë. Me dy golat e shënuar në portën e Lajpcigut ditën e djeshme, “Leva” mbërriti në 30 këtë edicion, duke dalë në vendin e parë të renditjes së “gjahtarëve të portës”. i mbetet edhe një ndeshje për të tejkaluar veten, ndonëse nuk do të thyejë dot “shpërthimet” e Gerd Mylerit që shënoi 40 gola në 1972, 38 në 1970 apo 36 në 1973.
Gjithsesi, edhe pse pa një “Myler të dytë”, gara për golin në Bundesligë këtë vit është më e bukur se kurrë. Asnjëherë më parë, kampionati gjerman nuk ka pasur tre futbollistë që të kishin shënuar 25 gola e sipër, siç ndodh këtë herë. Levandovski ka 30, Obamejang 29 dhe Modeste i Këlnit, 25. “Oba” ishte baraz me “Levën” deri javën e kaluar, por këtë të shtunë shënoi vetëm 1 gol për Dortmundin në Augsburg, ndërsa Modeste nuk mundi të shënonte.
Sfidanti.al