Carlo Ancelotti dhe Real Madrid kanë arritur një marrëveshje për ndarjen, e cila do të zyrtarizohet në ditët në vijim. Kështu raporton e përditshmja britanike The Athletic, sipas së cilës trajneri italian do të jetë në pankinën e kombëtares braziliane duke nisur nga muaji qershor. Divorci me Merengues do të ndodhë shumë shpejt, pas së cilës do të zyrtarizohet kalimi i tij te Seleção, me një kontratë fillestare njëvjeçare që do të zgjasë deri në përfundim të Kupës së Botës 2026, me mundësinë për t’u rinovuar deri në Botërorin pasardhës. Ancelotti ka kontratë me Blancos deri në qershor të vitit 2026, por shumë shpejt palët do të shpallin marrëveshjen që do të mbyllë para kohe aventurën e dytë të teknikut nga Reggio Emilia në Casa Blanca – një zyrtarizim që mund të vijë menjëherë pas El Clasico të së dielës ndaj Barcelonës.
Edhe pse deri vonë dukej se ideja për një kalim të italianit Ancelotti te Brazili kishte rënë, situata ka ndryshuar në orët e fundit. Të gjithë prisnin që kontrata me federatën braziliane të firmosej më 28 prill, në Londër, gjatë një takimi me përfaqësuesit e CBF-së, por bisedimet u ndalën përkohësisht. Ishte e nevojshme që Ancelotti të arrinte më parë një marrëveshje për ndërprerjen e kontratës me Real Madrid. Tashmë gjithçka është zhbllokuar dhe është shumë e mundur që shumë shpejt Ancelotti të jetë përzgjedhësi që do të bëjë thirrjen për ndeshjet kualifikuese të Botërorit në qershor ndaj Ekuadorit dhe Paraguait. Real duhet të vendosë kush do ta drejtojë ekipin në fazën përfundimtare të sezonit dhe në Botërorin për Klube, përpara se të zyrtarizojë trajnerin e ri. Kandidati kryesor për pankinën në Bernabéu është Xabi Alonso, por ai nuk do të mbërrijë para muajit korrik. Prandaj, zgjidhja pritet të jetë brenda klubit, me Santiago Solari në avantazh ndaj Raul Gonzalez të Castillas dhe Alvaro Arbeloas së ekipit Juvenil A.
sfidanti.al