Aksident tragjik në Superbike, humbin jetën Jenner e Richardson

Tragjedi në botën e garave me motorë. Anglezi Owen Jenner, 21 vjeç, dhe Zelandezi i Ri Shane Richardson, 29 vjeç, kanë humbur jetën pas një aksidenti të rëndë që përfshiu 11 pilotë gjatë kampionatit britanik të Superbike, në garën “Feature Race” të klasës Supersport, në pistën e Oulton Park. Grupi i garuesve kishte hyrë i ngjeshur në kthesën e parë kur ndodhën rrëzime zinxhir që çuan në përplasje të rënda dhe ndalimin e menjëhershëm të garës, e cila më pas u anulua. Pilotët e dëmtuar u ndihmuan menjëherë në pistë, ndërsa të gjitha ngjarjet e tjera të planifikuara u anuluan. Jenner, kampion në vitin 2023 në kategorinë Stock 600 dhe në vitin 2024 në British GP2, u ndihmua fillimisht në pistë dhe më pas u dërgua në qendrën mjekësore, por nuk mundi të mbijetonte për shkak të një dëmtimi të rëndë në kokë. Richardson u dërgua me urgjencë në spitalin Royal Stock University Hospital, por fatkeqësisht ndërroi jetë përpara se të mbërrinte, duke lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijët. Piloti 47-vjeçar Tom Tunstall ndodhet aktualisht i shtruar në një spital në Stoke me dëmtime serioze në shpinë dhe bark. Pesë pilotë të tjerë – Carl Harris, Max Morgan, Cameron Hall, Freddie Barnes dhe Morgan McLaren-Wood – kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë trajtuar në qendrën mjekësore të pistës, ndërsa Lewis Jones, Corey Tinker dhe George Edwards kanë shpëtuar pa lëndime.

sfidanti.al